Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur për barazinë gjinore në vend, ka thënë se situata po përmirësohet më shpejt se kurrë më parë.
Megjithatë, sipas tij, ka shumë punë për të bërë dhe duhet të fokusohemi më shumë në zonat që nuk janë urbane dhe “përgjithësisht jashtë Prishtinës”.
Këto deklarata Kurti i bëri në edicionin e dhjetë të Javës së Gruas, me temën kryesore “Barabarësia: Parakusht për Ripërtërije të Demokracisë”, organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik.
Po ashtu, ai ka deklaruar se në Kosovë nuk mund të ketë demokraci, nëse nuk ka barazi gjinore.
“Politika është e lidhur me bindjet në mënyrë të pashkëputur. Janë analizat dhe kërkimet, por në politikbërje janë të rëndësishme bindjet. Unë besoj se nuk mund të kemi demokraci pa barazi gjinore”, ka thënë ai.
“Nëse shohim institucionet qendrore, mund të thuhet se ka pjesëmarrje të konsiderueshme dhe gjithnjë në rritje të vajzave dhe grave. Nëse shohim universitetet tona, vlen sërish e njëjta. Ka fakultete të shkencave natyrore dhe teknike në të cilat ka më shumë studente vajza se sa djem”, është shprehur tutje kreu i ekzekutivit.
Ndër të tjera, ai ka thënë se edhe në Qeveri, Presidencë e Kuvend ka pjesëmarrje gjithnjë e më të madhe të grave.
Gjithashtu, sipas tij, vërehet përmirësim i pjesëmarrjes së grave edhe në sektorin ekonomik, në biznes, në ndërmarrësi, duke përfshirë edhe pronësinë e grave. “Nëse vazhdojmë me këtë trend, gjatë kësaj dekade tejkalojmë vetëm vendet e rajonit”, ka thënë ai.
The post Kurti: Nuk mund të kemi demokraci pa barazi gjinore appeared first on Dukagjini.
The post Kurti: Nuk mund të kemi demokraci pa barazi gjinore appeared first on Dukagjini.